
Ish-ministri i Arsimit, nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami për Kanal 10 ka deklaruar se do të marrë pjesë në marshin e organizuar sot nga “Liria ka Emër” ku do të marshohet për drejtësi në mbrojte të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Bajrami ka thënë se do të marrë pjesë, duke shtuar se ky marsh është gjithëkombëtar sepse është mesazh që të mos shtrembërohet historia e Kosovës, shkruan Gazeta10.
“Patjetër. Sot është një manifestim gjithëkombëtar, kulturor e qytetar kur Kosova do të kërkoj drejtësi për themeluesit e shtetit të Kosovës. Është një moment vetëdijesimi, do të dërgojmë mesazhe civilizuese ku kërkojmë të mos shtrembërohet historia jonë e lavdishme. Katër persona që gjykohen atje nuk janë individual por përfaqësojnë historinë e Kosovës, shtetndërtimin e Kosovës. I tërë populli i Kosovës duhet të kërkojë që ky gjykim të jetë i drejtë, i shpejt. Kjo Gjykatë duhet të bie sa më shpejt një aktgjykim, që pres që do të jetë lirim për të gjithë ata që janë atje.”, ka thënë Bajrami për Kanal10.
Tutje, ai ka thënë se po harrohet që UÇK-ja ka qenë “gueril patriotike” prapa së cilës nuk ka qëndruar shteti dhe lufta e saj ka qenë luftë për liri e pavarësi të Kosovës./Gazeta10