
Raporti: Kanal10
Në Hagë ka nis gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Të gjithë u deklaruan të pafajshëm, teksa janë pyetur për aktakuzën e ndryshuar. Ndërsa, prokurori i ZPS-së, teksa ua ka lexuar aktakuzën, i ka bërë përgjegjës udhëheqësit e UÇK-së për kryerje të krimeve për të ardhur në pushtet.
Pas më shumë se dy vjet qëndrimi në paraburgim, të hënën ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Seanca nisi me leximin e pikave të aktakuzës, me të cilat ngarkohen Thaçi dhe të tjerët.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi me anë të pjesëmarrjes së tyre në ndërmarrje kriminale të përbashkët kanë përgjegjësi penale për: ndjekje, krim kundër njerëzimit, burgosje, arrestim, akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit i ndëshkuar, trajtim mizor, krim lufte, torturë, krim kundër njerëzimit, torturë, vrasje e paligjshme”
Pas leximit të pikave të aktakuzës, drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm, pasi u pyetën nëse e kanë kuptuar aktakuzën e ndryshuar dhe nëse ndihen fajtorë.
Më pas prokurorët filluan me paraqitjen e provave që rëndojnë mbi katër të akuzuarit.
Prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi para trupit gjykues se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.
“Katër të akuzuarit u përfshinë në zbatimin dhe artikulimin e drejtpërdrejt të kësaj politike, përfshirë këtu duke caktuar edhe mbikëqyrjen e komandantëve dhe strukturave që vunë në jetë. Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu vërtetë në jetë që prej fillimit e deri në fund të luftës, nga veriu në jug, dhe në disa pjesë të Shqipërisë pati praktikë shënjestrimi të kundërshtarëve, që e konfirmonte një praktikë të shprehur që vinte nga lartë nga katër të akuzuarit”, tha Alex Whiting – Prokuror i ZPS-së.
Gjatë gjithë kohës, prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, ka përdorur komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja gjatë kohës së luftës.
Sipas prokurorit Mathew Howling me këto, shihej se UÇK-ja kishte shënjëstruar kundërshtarët politik.
“Ky urdhër i fillimit të vitit 1998 i gjendur në banesën e Jakup Krasniqit është një shembull tjetër ku udhëzon komandantët e zonës që të arrestohen gjithë ata shtetas që tregojnë besnikëri okupatorit që mbajnë uniforma të policisë serbe sepse kështu kanë kryer akte tradhtie ndaj shqiptarëve. E njëjta gjë do të bëhet në të ardhmen për çdo qytetarë që është implikuar me çdo forcë policie që nuk është pjesë e UÇK-së përpara se të vendoset për statusin politik të Kosovës. Ata që kanë kryer krime i raportonin drejtpërdrejt shtabit të përgjithshëm pjesë e të cilit ishin të akuzuarit”.
Sipas kryetarit të hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, kritikët u vranë, u keqtrajtuan mizorisht dhe u ndoqën.
“Kundërshtarët ishin ata persona që mendohej ose ishin të lidhur me institucionet serbe ose ata persona që s’i mbështesnin qëllimet ose metodat e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në si dhe persona të kombësisë serbe, rome apo përkatësive tjera. Nganjëherë këta quheshin tradhtarë, bashkëpunëtor ose kolaboracionistë. Provat do të tregojnë se personat e etiketuar kështu, ndaloheshin në mënyrë arbitrare dhe pa proces të rregullt ligjor dhe në shumë raste keqtrajtoheshin në mënyrë të tmerrshme. Qëllimi kriminal i përbashkët vuri në shënjestër këdo që mendohej se pengonte objektivat dhe taktikat e të akuzuarve. Katër të akuzuarit e shpërdoruan postin në Shtabin e Përgjithshëm”.
Pas prokurorëve, fjalët e tyre hyrëse i kanë vazhduar edhe mbrojtësit e viktimave, duke thënë ndër të tjerash se ata duan që të zbulohet e vërteta.
Fjala e tyre do të vazhdojë edhe të martën, ku pritet gjithashtu që deklaratat e para t’i japin edhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020.