
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Rritjen e tarifave të energjisë me arsyetimin se mund të kishte reduktime, po konsiderohet i paqëndrueshëm nga njohësit e ekonomisë. Ata thonë se në këtë kohë do duhej të kishte lehtësira, e jo shtrenjtim të rrymës. E qytetarët vazhdojnë të jenë të revoltuar, pasi thonë se nuk po mund t’i përballojnë çmimet e larta të secilit produkt bazë.
Arsyetimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, se rritja e çmimit të rrymës prej 15% është bërë për të mos pasur reduktime, po cilësohet si i paqëndrueshëm nga njohësit e ekonomisë dhe energjisë.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se nuk janë argumente të qëndrueshme arsyet e ZRrE-së, për ta ngritur çmimin e faturave të energjisë.
Sipas tij, me këtë është duke u eksperimentuar me ndjenjat e qytetarëve, pasiqë po cenohet standardi jetësor i tyre.
Edhe njohësi tjetër i ekonomisë Mustafë Kadrijaj, e quan të paqëndrueshëm arsyetimin për ngritje të çmimit të rrymës.
Sipas tij, në këtë kohë do duhej të kishte lehtësira, meqë moti përmirësohet, e jo të jetë e kundërta.
Kundër shtrenjtimit të rrymës vazhdojnë të jenë qytetarët e Kosovës.
Ata akuzojnë Qeverinë se nuk po dëgjojnë fare për hallet e qytetarëve të cilët nuk po mund t’i përballojnë ngritjen e çmimeve të krejt artikujve bazë për një familje.
Tarifat e reja të rrymës kanë hyrë në fuqi me 1 prill të këtij viti.
Derisa qytetarët që shpenzojnë energji deri në 300 kilovat orë do të paguajnë 2 euro e 88 cent, ata mbi 600 kilovat do të paguajnë 5 euro e 49 cent, kurse ata me mbi 1200 kwh, rritja do të jetë 13 euro e 80 cent.