Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Vazhdojnë pakënaqësitë për pagat në sektorin publik

Gazeta10
04 April 2023 - 19:46

Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10


Punëtorë të institucioneve publike kanë adresuar pakënaqësi të shumta, në muajin e dytë të hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga. Ata kanë thënë se pavarësisht premtimeve për marrjen e shtesave në mënyrë retroaktive, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për shkak të pagave, përfaqësues të sindikatave kanë thënë se po vazhdojnë dorëheqjet e zyrtarëve.

Sikur në mars, edhe në prill një pjesë e konsiderueshme e punonjësve në administratën e shtetit, i kanë marrë pagat e njëjta.

Megjithëse, ka hyrë në fuqi Ligji i ri i Pagave, ky është muaji i dytë, që shumë punëtorë të administratës dhe të të gjitha sektorëve, nuk kanë vërejtur rritje në pagat e tyre.

Pakënaqësi të shumta për këtë kanë adresuar sërish nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, ka thënë se si pasojë e kësaj numër i madh i zyrtarëve policorë, por edhe stafit civil, po japin dorëheqje për shkak të këtyre pakënaqësive.

Kreu i sindikalistëve policorë ka thënë se nëse vazhdon të mos paguhen shtesat dhe rrezikshmëria, do të marrin vendim për veprimet e ardhshme sindikale.

Pakënaqësi sikur të zyrtarëve policorë, kanë dhënë edhe nga përfaqësuesit e punëtorëve të gjykatave dhe prokurorive të vendit.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Gjykatave, Naim Rrustemi ka thënë se as këtë muaj nuk kishte rritje të pagave për këtë kategori.

Madje, sipas tij, për dallim nga muajt e kaluar, edhe në prill, atyre u janë hequr shtesat.

Lidhur me këto pakënaqësi, Kanal10 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Financave, por zyrtarë të këtyre dikastereve nuk kanë kthyer përgjigje.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Pagat, shumë kategori të sektorit publik kanë adresuar kritika ndaj ekzekutivit të vendit, për vlerën e koeficientit, si dhe heqjen e shtesave.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.