
Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10
Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza Naser Pajazitajn, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-s në bjeshkët e Strellcit të Deçanit. Të zhgënjyer me një vendim të tillë janë shprehur familjarët e viktimës, derisa reagime ka pasur edhe nga aktivistet për të drejtat e grave.
I dënuar dy herë me burgim të përjetshëm, kjo ka qenë pamja e së enjtes për Naser Pajazitajn.
I akuzuari për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj, para rreth 8 vjetësh,,është parë i buzëqeshur jashtë hapësirave të burgut, pasi është liruar nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Pas shtatë vjetësh prapa grilave, me një proces gjyqësor që nuk merrte epilog, lirimi i tij është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
Lirimin e Pajazitajt nga akuza për vrasje, e ka cilësuar si të vonuar avokati i tij, Ahmet Tahiri.
Por, i zhgënjyer nga një vendim i shkallës së tretë gjyqësore është shprehur, Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt.
Sipas tij, ky rast, dëshmon për sistemin e fëlliqur të drejtësisë në Kosovë.
Pas këtij vendimi të Gjykatës Supreme, kanë reaguar edhe aktivistet për mbrojtjen e të drejtave të grave.
Aktivistja Sevdije Hoxha ka thënë se kjo nuk është hera e parë që vrasësit e grave nuk dënohen, por lihen të lirë.
Ky rast kishte marrë epilog gjyqësor në shkallë të parë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm dhe pas kthimit në rigjykim, në rastin e dytë ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit në Deçan, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj, nga po i njëjti fshat.