Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Qeveria bllokon mjetet vetanake të komunave, reagojnë kryetarët

Gazeta10
06 April 2023 - 19:45

Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10

Komunat e kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të mjeteve të tyre vetanake. I shqetësuar me një veprim të tillë është shprehur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Lidhur me këtë çështje, përplasje ka pasur edhe në Kuvendin e Kosovës. Derisa, nga shoqëria civile kanë thënë se me asnjë ligj, ekzekutivit nuk i lejohet t’i bllokojë këto mjete të komunave.  

Komunat edhe ekzekutivi i vendit sërish janë përplasur për çështjen e të hyrave vetanake të pashpenzuara.

Ka qenë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që të enjten e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se qëllimisht kryeqytetit ia ka bllokuar 28.8 milionë euro.

“Kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale. Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës.”, deklaroi Përparim Rama – Kryetar i Prishtinës.

Kreut të Prishtinës i është kundërpërgjigju ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se çështja e bartjes së mjeteve të pashpenzuara të komunave rregullohet me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ku sipas tij, të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunave për vitin paraprak, barten në vitin vijues.

Për këtë, kanë reaguar partitë opozitare për çka kanë thënë se nuk do të ketë normalitet në Kuvend nëse bllokohen këto mjete të komunave.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se niveli qendror po i mban pezull këto mjete dhe të njëjtat nuk mund t’i shfrytëzojë.

Kurse, Bekim Salihu nga institutit GAP-i ka thënë se nuk ekziston asnjë ligj që ia lejon nivelit qendror t’i bllokojë mjetet vetanake të komunave.

Kjo nuk është herë e parë që komunat dhe qeveria përplasen rreth mjeteve të pashfrytëzuara.

Nga Rubrika
Lajme
15 August 2026
Lajme
15 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.