Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Opozita skeptike për anëtarësimin e Kosovës në BE, për njohësit aplikimi ishte strategjik

Gazeta10
08 April 2023 - 10:00

Raporti:Arbenita Ilazi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi gjatë muajit prill do të ketë një vizitë në Suedi e cila mban Presidencën e BE-së, për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pranimi i aplikacionit sipas njohësve dhe subjekteve opozitare nuk është i mundur pa pesë vendet mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës.

Rrugëtimit për procesin e integrimit të Kosovës në BE, pritet ti prijë një vizitë e zëvendëskryeminitrit të parë, Besnik Bislimi, gjatë këtij muaji në Suedi.

Në vizitë pritet të diskutohet për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit, Klisman Kadiu ka thënë se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor.

“Gjatë këtij muaji, pritet që zëvendëskryeministri Bislimi të ketë dhe një vizitë në kryeqendrën suedeze, për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe rrugën përpara të Kosovës në proceset e integrimit evropian. Hapat përpara dhe rruga tutje në integrimin e Kosovës drejt BE-së, janë biseduar edhe në takimin e fundit me Komisionerin Varhelyi. Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”.

Mirëpo, ndryshe këtë proces e shohin njohësit e proceseve integruese të BE-së dhe dy partitë opozitare, PDK dhe LDK të cilët konsiderojnë se rruga e Kosovës në Bashkim Evropian varet nga dialogu Kosovë-Serbi dhe pesë vendet mosnjohëse të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se aplikimi për anëtarësim në BE është bërë vetëm sa për foto në rrjete sociale, pasi shqyrtimi dhe pranimi i aplikacionit nuk është i mundur pa pesë vendet mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës.

Skeptike për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës gjatë këtij viti është edhe deputetja e LDK-së, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.

Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Dorajet Imeri, thotë për se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE më shumë ka qenë strategjik, për të treguar orientimin properëndimor, pasi, sipas tij, realisht është ditur se aplikacioni i Kosovës nuk do të merret parasysh për një kohë.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.