
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar tri ndeshjet e mbetura të xhiros së 28-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Në stadiumin me bari sintetik në Ferizaj, skuadra me po të njëjtin emër shënoi fitore befasuese 2-0 ndaj skuadrës së tretë në tabelë, Gjilanit, e cila në pjesën më të madhe të pjesës së dytë ishte me një lojtar më pak, pasi Cale u ndëshkua me të kuq.
Golat për ferizajasit i shënuan Gentrit Halili dhe Gentrit Ramusa.
Befasi tjetër ndodhi edhe në kryeqytet, ku skuadra e Prishtinës u mposht 2-1 nga Dukagjini, të drejtuar nga Armend Dallku.
Golin e parë në ndeshje e shënonte Dukagjini përmes autogolit të Muhamed Useinit, ndërsa golin e barazimit për bardhekaltërit e shënoi Mërgim Pefqeli.
Ndërsa, për epilogun final të takimit u përkujdës Mërlaku, i cili shënoi në minutën e 60-të.
Fitore të lehtë arriti skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina, Llapi, i cili mposhti skuadrën e fundit në tabelë, Drenicën me rezultat të thellë 4-0.
Golat për Llapi në këtë ndeshje i shënuan: Progni (13’), Firmino (45+2’), Festim Alidemaj (81’) dhe Albion Kurtaj (86’).
Pas takimeve të ditës së sotme ka ndryshime në tabelë, me Llapin që tashmë renditet i 4-ti, gjersa Prishtina bie në pozitën e pestë.
Me fitoren e arritur sot, Dukagjini tani i afrohet pozitës së Evropës në vetëm 2 pikë, pozitë e cila është e zënë nga Gjilani.