
Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10
Sylejman Krasniqi qytetar nga Prishtina vazhdon të ketë telashe me pagesat e tatimin në pronë për vite me radhë. Ani pse pronat i shiti vite më parë ai thotë se pagesat për tatimin ende vijnë në emrin e tij. Për këtë thotë se ka dërguar ankesë edhe në Komunën e Prishtinës. Nga kjo e fundit thonë se ankesa do t`i shqyrtohet brenda afatit të paraparë kohor, derisa problemet me parcela vazhdojnë tutje në nivelin qendror. E nga Ministria e Financave nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.
Pavarësisht shitjes së pronave vite me parë, qytetari Sylejman Krasniqi thotë se ende po paguan tatim për to.
Për rreth 10 vjet Krasniqi po vazhdon të përballet me këtë problem pavarësisht ankesave të shumta nëpër institucione.
Krasniqi tha se kishte mbi 40 prona, 12 prej të cilave janë të përkthyera derisa të tjerat jo, mirëpo tatimin tha se po e paguan edhe për ato që janë të parcelizuara.
Ai thotë se ka bërë kërkesë edhe në Komunë rreth një muaj më parë por që nuk ka marrë përgjigje.
Për këtë shefi i tatimit në pronë, Milaim Krasniqi thotë se ankesa do t`i shqyrtohet brenda afatit kohor 60 deri 90 ditë.
Shefi i Tatimit në Pronë i Komunës së Prishtinës tha se rasti në fjalë vazhdon në nivelin qendror.
“Drejtoria e Financave në Komunë shqyrton secilën ankesë, mirëpo për shkak të numrit të madh të ankesave shtyhet afati kohor për më shumë se 30 ditë. Në rastin konkret kemi të bëjmë me parcela të cilat vazhdojnë tek departamenti i pronave në Ministrinë e Financave. Raste të tilla ndodhin edhe nëse personat në fjalë nuk i kanë përkthyer pronat, rrjedhimisht edhe nuk figurojnë. Ka raste kur ndodhin edhe vonesa, mirëpo patjetër se ankesa do të shqyrtohet dhe identifikohen problemet për të procesuar tutje”
Kanal10 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave të cilat nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.