Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ende pa vendim për caktimin e qendrave të votimit

Gazeta10
12 April 2023 - 18:54

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10


KQZ-ja edhe këtë të mërkurë e ka anuluar mbledhjen në të cilën do të miratohej lista e qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se KQZ-ja dhe institucionet tjera do të vlerësojnë situatën për zgjedhjet në veri. Por, kandidatët për kryetar të komunave, kanë kritikuar KQZ-në se nuk po arrin t’i organizojë zgjedhjet në veri.  

Pas dy shtyrjeve, rrezikohet që edhe në herën e tretë të mos mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të vendit.

Disa incidente të ditëve të fundit, kanë rritur mundësinë e shtyrjes së sërishme të zgjedhjeve të 23 prillit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shtyrë edhe të mërkurën mbledhjen ku pritej të vendosej se ku do të caktoheshin qendrat e votimit në katër komunat e veriut.

Por, sikur një ditë më parë, KQZ-ja ka njoftuar se është anuluar një mbledhje e tillë.

Sa i përket rrezikut të mos mbajtjes së zgjedhjeve, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se janë KQZ-ja dhe institucionet e sigurisë që vlerësojnë situatën.

Ndërkohë, kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare, Betim Osmani, ka thënë se KQZ-ja nuk është duke e bërë punën e duhur për organizimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, analisti dhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, e sheh të udhës shtyrjen e zgjedhjeve.

Sipas tij, shteti mund të humb rreth gjysmë milioni euro e në fund procesi zgjedhor të shpallet i pavlefshëm.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveçan janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave, në nëntor të vitit 2022, për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Këto zgjedhje ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor të vitit të kaluar, por që ishin shtyrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.