
Të enjten mbrëma do të zhvillohet ndeshja e parë e serisë gjysmëfinale të “Play-Offit” ndërmjet dy rivalëve të vjetër të basketbollit kosovar, Prishtinës dhe Trepçës.
Të dyja këto skuadra sonte do të synojnë që ta nisin mbarë serinë gjysmëfinale dhe të bëjnë një hap para drejt finales së madhe.
Sezonin e rregullt të garave, Prishtina e përfundoi në pozitën e parë, duke siguruar kështu kalimin direkt në gjysmëfinale.
Ndërkohë, Trepça stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e katërt, ndërsa në çerekfinale mposht Bashkimin me seri prej 2-0.
“Bardhekaltërit” për herë të fundit e kanë fituar titullin kampion në vitin 2019, ndërsa skuadrës nga Mitrovica i mungon ky trofe që nga vitin 2012.
Në katër përballjet mes këtyre dy skuadrave këtë edicion në Superligë, dy herë ka fituar Prishtina, ndërsa dy herë të tjera Trepça.
Këto dy skuadra janë takuar po ashtu në dy finale këtë sezon, ku “Bardhekaltërit” triumfuan në Superkupën e Kosovës, ndërsa “Xehtarët” fituan Kupën.
Kjo përballje luhet në Prishtinë me fillim nga ora 20:30.