
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të enjten, kanë bërë informimin javor të punës. Në këtë sesion, ata kanë treguar arsyet pse seancat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë duke u zhvilluar me dyer të mbyllura. Në këtë formë, ka vazhduar gjykimi edhe të enjten ku është dëgjuar dëshmitarja e ZPS-së.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vazhduar me seanca private edhe gjatë së enjtes.
Që nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, dëgjimi i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka qenë i mbyllur për publikun.
Ndërkohë, gjatë seancës të së enjtes, Krasniqi, nuk është ndierë mirë dhe përmes avokates së tij, është paralajmëruar turpi gjykues se mund të ketë nevojë që ai të largohet nga salla.
DEK: Venkatesëari Alagendra – Mbrojtëse e Jakup Krasniqit
“Zotëri Krasniqi nuk ndjehet shumë mirë për momentin, mendoj se mund të qëndrojë edhe pak, por do të na thotë nëse ka nevojë të largohet dhe nëse na lejohet që të largohet. Po ashtu mund të shfrytëzoj këtë mundësi për të thënë që më herët thash që më duheshin dy orë me dëshmitarin por mendoj që do të më nevojiten më pak se një orë.”
Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë treguar të enjten pse kanë vendosur që seancat të mbahen private.
Në informimin javor, ky institucion ka thënë se gjykatësit ndonjëherë vendosin që seanca e gjykimit të jetë e mbyllur për publikun për ta ruajtur identitetin e dhe sigurinë e dëshmitarëve.
“Të gjitha gjykimet para DHS-së janë publike; megjithatë gjykatësit ndonjëherë vendosin ta kryejnë një pjesë të seancës së gjykimit në atë që njihet si seancë private, ose të redaktojnë informacione të caktuara për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave. Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”.-Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë
Ndërkohë, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të vazhdojë të hënën e 17 prillit.
Sipas Dhomave të Specializuara, trupit gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj Pjetër Shalës.
“Në çështjen Pjetër Shala, Trupi Gjykues urdhëroi më 6 prill vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Shala të pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se paraburgimi vijon të jetë i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, sepse këto rreziqe nuk mund të ulen mjaftueshëm përmes zbatimit të masave të arsyeshme alternative, por vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të DHSK-së”.-Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.