
Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Në Kosovë, është përkujtuar 24-vjetori i masakrave në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e Vjetër në Drenas. 24 vjet më parë, forcat serbe i kanë masakruar, vrarë, pastaj edhe i kanë djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar. Familjarët dhe të mbijetuarit kujtojnë krimet e tmerrshme serbe, derisa shprehen të zhgënjyer që ende nuk ka drejtësi.
Emrin ia kishin vendosur Lirie, por ajo nuk arriti ta gëzojë lirinë.
I kishte vetëm gjashtë muaj jetë, kur ajo së bashku edhe me 53 anëtarë të tjerë të familjes Muqolli dhe Elshani në fshatin Poklet të Drenasit, u vranë, u masakruan dhe në fund trupat e tyre u dogjën nga forcat serbe.
Ky është vetëm një prej shumë krimeve e masakrave që forcat serbe kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë.
Megjithëse, kanë kaluar më shumë se dy dekada, prilli i vitit 1999 rikthen tmerrin dhe trishtimin për familjarët dhe të mbijetuarit.
Dhimbja e tyre vetëm sa vjen e rritet, me padrejtësinë e pashembullt, duke mos u ndëshkuar asnjëherë kryesit e këtyre krimeve.
Lumnije Muçolli, e cila i mbijetoi kësaj masakre, tregon tmerrin e përjetuar 24 vjet më parë.
Edhe familjarë të tjerë, nën lot, shprehen të zhgënjyer se drejtësia nuk bëri asgjë, pavarësisht dëshmive e dëshmitarëve të shumtë.
Përveç masakrës në Poklek, 24 vjet më parë, në ditën e njëjtë, forcat serbe do të kryenin një tjetër krim me përmasa të gjenocidit, duke vrarë e masakruar civilë të pafajshëm edhe në Çikatovë të Vjetër të Drenasit.
Familjarët e tyre thonë se ndonëse panë me sy krimet serbe, sot po gjykohen shqiptarët padrejtësisht, e jo ata që kryen masakra ndaj civilëve.
Më 17 prill të vitit 1999, forcat serbe kishin vrarë e masakruar 77 civilë shqiptarë në fshatrat Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit.
Në mesin e viktimave ishin burra, gra, pleq, të rinj e të reja, si dhe fëmijë e foshnja.