
Pas 1 janarit të vitit 2024 apo ndoshta edhe më herët nëse hynë në fuqi sistemi ETIAS, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejtë 27 shteteve të zonës Schengen. Qytetarë që lëvizin në shtetet e kësaj zone duhet të kenë kujdes që të mos shkelin rregullat e zonës pasiqë mund të penalizohen me dënime dhe mos lejim të hyrjes në këtë zonë, shkruan Gazeta10.
Qytetarët me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën Schengen, maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes, brenda një periudhë kohore prej gjashtë muaj (180 ditë).
Numërimi i ditëve të qëndrimit fillon që nga momenti kur hyhet për herë të parë në zonën Schengen. Për shembull, nëse hyrja për herë të parë në zonën Schengen është bërë më datë 10 janar, periudha gjashtëmujore e parë përfundon më 10 korrik dhe periudha e ardhshme fillon më datë 11 korrik. Nëse kjo periudhë e parë do të fillonte në një datë tjetër si p.sh. 15 shkurt, periudha e ardhshme gjashtëmujore do të fillonte më 16 gusht.
Nëse, për arsye të ndryshme bëhen disa udhëtime afatshkurtra në zonën Schengen, është kusht që kohëzgjatja e gjithë udhëtimeve të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).
Mosrespektimi i ditëve të qëndrimit (90 ditë), përbën shkelje të legjislacionit të Schengenit dhe policitë kufitare të kësaj zone aplikon penalizime që arrijnë në gjoba deri në 600 euro për person. Kjo gjobë është e detyrueshme të paguhet brenda një afati të caktuar mbasi në të kundërt, aplikohen penalizime të tjera si ndalim hyrje për 5-10 vjet.
Penalizime qytetarët mund të marrin edhe nëse shfrytëzojnë lëvizjen e tyre të lirë për të punuar.
Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë.
Kur personi është dënuar për një vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon dënim minimal 1 vit burg, atij do t’i ndalohet hyrja në zonë Schengen.
Penalizim dhe përjashtim nga lëvizja e lirë mund të merrni dhe nëse keni prishur sigurinë publike apo jeni përfshirë në aktivitete kriminale.
Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa dministrative gjobe, të cilat shkojnë nga 600 deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, deri sa ta paguajë atë me gjithë kamatën e vonesës, raporton Gazeta10.
Të gjitha kërkesat që përmenden më lart mbi hyrjen dhe qëndrimin në zonën Schengen janë kushte që aplikohen për të gjithë të huajt në BE. /Gazeta10/