
Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10
I prangosur është nxjerr nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Kjo gjykatë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e kësaj mase ndaj Krasniqit, i cili dyshohet se ka kryer tri vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ushtrimit të ndikimit si dhe të konfliktit të interesit.
Seanca dëgjimorë ndaj tij është mbajtur të enjten, një ditë pas arrestimit dhe sipas gjykatës caktimi i paraburgimit është bërë me arsyetimin se Krasniqi mund të ndikojë te dëshmitarët.
Kurse, Taulant Ferizi, avokat i Nagip Krasniqit, ka thënë shkurtimisht se ka kërkuar të mos caktohet masa e paraburgimit, por që sipas tij, nuk është marrë parasysh.
Ndryshe, në kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, Krasniqi ndër të tjerash dyshohet për disa kontrata, njëra me kompaninë “Litwin SA”, me çmim rreth 3.5 milionë euro, për kaldaja në bllokun A5, si dhe një për konsulencë ligjore me vlerë prej 60 mijë eurosh.
Sipas kërkesës, si pasojë e mosekzekutimit të kontratave, janë shkaktuar dëme të pariparueshme financiare për buxhetin e shtetit.