Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Takimi i 2 majit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit

Gazeta10
24 April 2023 - 19:30

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Lidhur me vazhdimin e dialogut, Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm për takimin e radhës në Bruksel, mirëpo presidenti serb Aleksandar Vuçiq, qasjen e dialogut deri më tani e ka parë të gabuar, andaj sipas tij nevojiten bisedime me shqiptarët. Ndërkaq, ambasadorët e SHBA-së në Kosovë e Serbi kanë pritshmëri nga takimi i 2 majit për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe themelimin e Asociacionit.

Faktori ndërkombëtar pret nga Kosova dhe Serbia që sa më shpejt të nisin zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër.

Dhe, progresi rreth implementimit të tyre, nga palët kërkohet që në takimin e ardhshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i caktuar të mbahet më 2 maj në Bruksel.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffry Hovenier, ka thënë se është i nevojshëm zbatimi i marrëveshjeve ndërmjet të dyja vendeve.

I pyetur për zgjedhjet e së dielës në katër komunat e veriut të vendit, Hovenier ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij lidhur me këtë proces, teksa sipas tij, fokusi duhet të mbetet te progresi në dialog.

“Dje e kemi dhënë një qëndrim, aty theksohet nevoja për implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe këtë e presim”, deklaroi Jeffry Hovenier – Ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se tani është koha që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Jam i kënaqur që ata po planifikojnë të takohen më 2 maj. Është e qartë se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shpresoj që do të pasojë përparimi i plotë dhe i qëndrueshëm në dialog”.

I gatshëm për takimin e radhës me presidentin serb, është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se zbatimi i marrëveshjes duhet të bëhet pa vonesë.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nevojiten bisedime të vërteta me shqiptarët.

“Ajo që ne do të insistojmë është një dialog i vërtetë, ose doni të dëgjoni serbët, dhe ajo që ju e konsideroni dialog është kur ju pesë vini dhe thoni merre ose lëre, ndryshe do ta bëjmë, nuk di çfarë të bëjmë nëse nuk e merr, ky nuk është dialog dhe të çon drejtën në pasoja të tilla, ne na duhet bisedime të vërteta me shqiptarët, duhen bisedime reale me evropianët, ne duhet të jemi në rrugën evropiane, por duhet të kemi një dialog të vërtetë dhe biseda reale për çështjet tona kombëtare dhe shtetërore.”, deklaroi Aleksandar Vuçiq – President i Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel më 27 shkurt, derisa për aneksin e zbatimit të saj janë pajtuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mars të këtij viti.

Për zbatimin e kësaj marrëveshje, BE-ja ka themeluar edhe mekanizimin mbikëqyrës. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.