
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Numri i vogël i inspektorëve po del të jetë problem i madh në Kosovë, në secilën prej fushave. Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se janë vetëm 49 inspektorë, shumë prej tyre në prag të pensionimit e që po angazhohen në aktivitete të shumta. Nga opozita kanë kritikuar kryeministrin Kurti, duke thënë se ka premtuar shtimin e 400 inspektorëve, por deri më tani nuk ka bërë asgjë. E nga Qeveria thonë se deri në fund të vitit, do të angazhohen 250 sosh.
Ky është vetëm njëri nga pak inspektorët sanitar që në përgjegjësi ka kontrollimin e ligjit të duhanit në qindra lokale në Kosovë.
Dhe ky nuk është aktiviteti i vetëm që e bënë në teren.
Numri i përgjithshëm i inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë wshtw 49.
Pavarësisht numrit të vogël, nga ky institucion thonë se po mundohen t’i mbulojnë të gjitha kërkesat.
Gjendje të ngjashme ka edhe ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me vetëm 15 inspektorë të tregut, derisa 60 të tjerë janë në kompetencat e komunave.
Megjithatë, nga ky institucion thonë se së shpejti do të rekrutohen edhe 27 të tjerë.
“7 inspektorë të tregut janë të angazhuar në fushën e mbikëqyrjes së produkteve të naftës dhe derivateve të naftës. 5 inspektorë të tregut janë të angazhuar në fushën e mbikëqyrjes së sigurisë së përgjithshme të produkteve (industriale jo ushqimore), dhe 3 në fushën e mbikëqyrjes së përgjithshme të produkteve dhe shërbimeve.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për Kanal10.
Për shkak të kësaj, anëtarja e PDK-së në komisionin për Mjedis, Ushqim e Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Ganimete Musliu thotë se gjendja në teren është alarmante.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti ka premtuar shtimin e 400 inspektorëve, por deri më tani asgjë nuk ka punuar në këtë drejtim.
Por, kryetarja e këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli thotë se deri në fund të vitit do të shtohen 250 inspektorë.
Kosova ndër vite ka pasur mungesë të inspektorëve për fusha të ndryshme. /Gazeta10