Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Familja Rexha në pritje të ftesës nga Prokuroria Speciale

Gazeta10
27 April 2023 - 19:00

Raporti: Egzona Shala/Kanal10


Prokuroria Speciale ende nuk e ka bërë të ditur nëse i ka ftuar familjen Rexha për të dëshmuar rreth pretendimeve për personin të cilin thonë se është dhunuesin e babait të tyre në vitin 1998. Nga Fondi për të Drejtën Humanitare kanë thënë se do të merren me rastin, posa të merren organet e drejtësisë. E nga ish-drejtuesi i Institutit për Krime Lufte është kërkuar nga organet e drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast.

Pretendimet e anëtarëve të familjes Rexha nga Rahoveci se kanë identifikuar serbin që ka maltretuar babanë e tyre në luftë, ka vënë në lëvizje organizatat që merren me trajtimin e krimeve të luftës.

Pas deklaratës së Labinot Rexhës, Kanal10 ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nëse e ka trajtuar ose nëse do ta trajtojë këtë rast, por gjatë së enjtes nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, nga Fondi për të Drejtën Humanitare kanë thënë se do të merren me këtë rast, posa i njëjti të fillojë të trajtohet nga organet e drejtësisë.

Bekim Blakaj nga ky fond ka thënë se në raste të tilla duhet vetë personi t’i drejtohet prokurorisë, por nëse një gjë e tillë mungon, atëherë drejtësia duhet të reagojë menjëherë.

Kurse, ish-drejtues i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Ismet Salihu ka thënë se ky rast duhet të trajtohet edhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar nëse Serbia nuk e dorëzon të dyshuarin.

Ai ka thënë se çdo vonesë në themelimin e këtij instituti nga Qeveria e Kosovës është në dëm të gjetjes së kriminelëve serbë që kanë bërë krime në Kosovë.

Këngëtari Labinot Rexha, pas publikimit të pretendimeve të tij, ka thënë se pret ftesën e Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshmi lidhur me këtë rast.

Ndryshe, ditë më parë, Rexha ka bërë publike pretendimet e tij rreth gjetjes së personit, i cili ka thënë të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij në vitin 1998.

Sipas tij, identifikimin e personit pas 25 vjetësh, e ka bërë përmes fotografive në rrjete sociale, duke u shprehur i bindur se bëhet fjalë për Trajko Roganoviq, një fqinj i tij, i cili në kohën e luftës ka shërbyer si polic.

Por, ky i fundit i kishte reaguar Rexhës, duke mohuar pretendimet e tij.

Nga Rubrika
Lajme
23 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.