
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar dy ndeshjet e para të xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ndeshje interesante është luajtur në Gjilan, ku Drita, nën udhëheqjen e trajnerit të ri Akis Vavalis, shënoi fitore 3-0 ndaj skuadrës së Ferizajt.
Golat për skuadrën gjilanase i shënuan: Ardit Tahiri, Kastriot Selmani, gjersa të tretin për epilogun final të takimit e shënoi sulmuesi, Marko Simonovski.
Fitore sot arriti edhe Malisheva, e cila në kuadër të kësaj xhiro udhëtoi për në Skenderaj, ku arriti të mposht Drenicën me rezultat 2-1.
Të parët në epërsi dolën vendasit me anë të Agim Zekës në minutën e 4-të, teksa për golin e barazimit u përkujdes Behar Maliqi në minutën e 7-të.
Golin e 2-të dhe të fitores për Malishevën e shënoi Bleart Tolaj në minutën e 24-të të ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Drita e gjen veten në pozitën e parë – të paktën deri nesër – me dy pikë më shumë se Ballkani në vendin e dytë, ndërsa Ferizaj pozicionohet e 9-ta në tabelë, pozitë që të dërgon në Ligën e Parë.
Në anën tjetër, Malisheva me arkëtimin e tre pikëve sot, renditet e shtata në tabelën e klasifikimit. Ndërkohë, Drenica është e fundit në tabelë me vetëm 23 pikë të tubuara. /Gazeta10/