
Raporti: Saranda Aliu
Për shkak të shkeljes të marrëveshjes nga Serbia, partia në pushtet i ka kërkuar Bashkimit Evropian ta sanksionoj Serbinë. Si pasojë e kësaj, thonë se nuk kanë pritje të mëdha për takimin e 2 majit. Ndërkaq, nga Nisma Socialdemokrate këtë marrëveshje e kanë quajtur si më të dëmshmen, derisa kanë thënë se Kurti po synon ndarjen e veriut nga Kosova. E njohësit e politikës thonë se në Bruksel do të kërkohet përfundimi i draft-statutit për Asociacionin.
Pritje jo fort të mëdha kanë nga partia në pushtet për takimin e 2 majit në Bruksel.
Kjo pasi siç kanë thënë ata, Serbia vazhdimisht po e shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe atë për aneksin e zbatimit të saj në Ohër.
Për këtë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian ta sanksionoj Beogradin.
Por, këtë marrëveshje me Serbinë, kryetari i Nismës Fatmir Limaj e ka konsideruar si më të dëmshmen ndonjëherë.
Sipas tij, kryeministri Kurti këtë po e bënë me qëllim të shkëputjes së Veriut nga Kosova, derisa e ka kritikuar atë që nuk është në dijeni për ekipin që është duke e hartuar Asociacionin.
Nga Këshilli Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës janë shprehur skeptik për zbatimin e kësaj marrëveshje, derisa janë të bindur se Serbia nuk do të tregojë vendndodhjen e varrezave masive.
E njohësit e çështjeve politike thonë se nga takimi i ardhshëm do të kërkohet përfundimi konkret i draft-statutit për Asociacionin.
Një ditë më parë, Bashkimi Evropian zyrtarisht e ka konfirmuar takimin mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm i BE-së, Miroslav Lajčák.
Dy prej pikave më kritike në takim pritet të jenë ajo për personat e pagjetur dhe draft-statuti i Asociacionit./Gazeta10