
Raporti: Kanal10
Një mbishkrim si ky, nëpër rrugët e kryeqytetit, do të ishte baza e ndërtimit të një lëvizjeje politike, pas vitit 2005.
Në kohën kur Kosova negocionte për statusin e saj, një grup të rinjsh shprehnin dilemat e tyre për llojin e pavarësisë që i ofrohej vendit, që pak vite më parë kishte dal nga një luftë me shumë humbje përballë pushtuesit serb.
“Jo negociata-Vetëvendosje”, ishte mbishkrimi që do të merrte hov në shumë vende në Kosovë, në rrugë, në mure, madje edhe në semaforë.
Të prirë nga ish i burgosuri politik, Albin Kurti, së shpejti negociatat e pashmangshme të Kosovës me Serbinë, do të shndërroheshin si parulla kryesore politike e subjektit që do të emërtohej Lëvizja Vetëvendosje.
Jo vetëm negociatat për statusin e Kosovës, por edhe ato të nisura pas pavarësisë, përkatësisht në vitin 2011, do të përbënin një nga kauzat kryesore të subjektit të udhëhequr nga Albin Kurti.
Pikërisht, duke kundërshtuar formatin e bisedimeve më Serbinë, Albin Kurti synonte të ishte udhëheqësi i një procesi të tillë, madje edhe në kuadër të një koalicioni paszgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, shkruan Kanal10.
Por, dështimi i këtij koalicioni, bëri që Kurti të priste të jetë në krye të negociatave deri në kohën kur lëvizja e tij të fitonte zgjedhjet dhe ai të bëhej kryeministër i Kosovës.
Në Qeverinë Kurti I, për shkak edhe të kohës së shkurtë, nuk arriti të kishte asnjë takim me presidentin serb, Alekdandar Vuçiq, derisa takimet me të do të shpeshtoheshin në Qeverinë Kurti II.
I nisur në vitin 2011, dialogu për kohë të gjatë ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi, i pasuar më pas nga Isa Mustafa dhe për një periudhë të shkurtër edhe nga Avdullah Hoti.
Gjatë gjithë kohës në opozitë, Kurti sfidonte të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i konsideruar ato si të dëmshme, e veçmas Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Duke mos e vlerësuar si të rëndësishëm, në qeverinë e udhëhequr prej tij, Kurti thoshte se dialogu është prioritet i shtatë.
Megjithatë, koha tregoi ndryshe, pasi që dialogu u bë një ndër prioritetet kryesore të Kurtit dhe takimet me Vuçiqin ishin më të shpeshta, duke bërë që përballja e parë e tyre të ndodhte në qershor të vitit 2021.
Në takimin e parë, Kurti kishte deklaruar se ka propozuar 4 pika, 3 prej të cilave ishin refuzuar e për një nuk kishte marr përgjigje, shkruan tutje Kanal10.
Takimi i parë i tyre, kishte përfunduar pa ndonjë marrëveshje, me ndërmjetësuesit e Bashkimi Evropian që do të intensifikonin përpjekjet e tyre për përafrimin e palëve.
JOSEP BORELL – “Ne e dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë, por ky proces dhe përkushtimi i sinqertë nga të dyja palët është i nevojshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe Serbisë. Le të jemi të qartë – dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes europiane për të dyja vendet.”
Kurti dhe Vuçiq do të përballeshin sërish më 19 korrik të vitit 2021, por pa prodhuar asgjë, përveç pajtimeve për të vazhduar dialogu, me deklaratat e tyre duke fajësuar njëri-tjetrin për qasje në këtë proces.
Takimi i tretë i tyre, do të ndodhte tek në majin e vitit 2022, pas një sërie të vizitave të faktorit ndërkombëtar në Kosovë e Serbi.
Derisa, një takim tjetër do të ndodhte më 18 gusht në Bruksel, por edhe ky pa ndonjë rezultat.
BORELL – “Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”.
Derisa, të dyja vendet një marrëveshje do ta arrinin më 27 gusht, siç ishte ajo për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e të dyja vendeve, si dhe pas marrëveshja për energjinë.
Pas një rundi të pasuksesshëm të dialogut, faktori ndërkombëtar do të shtonte përpjekjet për të bindur palët që të arrinin ujdi. Në këto përpjekje ishte angazhuar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë e evropianë.
Nga gushti i vitit 2022, nuk kishte më takime Kurti-Vuçiq, me gjithë pajtimin që këto të ndodhnin më shpesh.
Dialogu, në disa momente, do të merrte kahe tjetër, kur Qeveria e Kosovës do të nxirrte vendimin për targat ilegale serbe, duke nxitur veprimet e serbëve lokalë, të ndikuar edhe nga Beogradi për t’i bllokuar rrugët në katër komunat e veriut.
Pas një presioni ndërkombëtar, palët do të arrinin marrëveshje për shtyrjen e vendimit për çështjen e targave, por zhvillimet tjera do të çonin te një bllokadë tjetër, siç është ajo e largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet qendrore dhe lokale, përfshirë, policinë, prokurorinë, gjykatat e administratën.
Nga situata e krijuar në veri, si dhe mospajtimet e palëve për propozimet konkrete drejt normalizimit të marrëdhënieve, dy shtete të fuqishme evropiane, Franca dhe Gjermania do të dilnin me planin e tyre, që do të quhej plani franko-gjerman, e më pas evropian, i cili dokument gëzonte mbështetjen e fuqishme edhe të SHBA-së.
Ky propozim ishte mirëpritur nga pala kosovare, derisa rezerva shprehte ajo serbe.
Propozimi kishte 10 pika dhe për palët ishte i formatit “merre ose leje”.
Aty parashihej edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për çka Kurti do të propozonte gjashtë kushte për themelimin e tij, por që këto propozime nuk është që u morën parasysh më pas.
Ndonëse, nuk kishte nënshkrim takimi i 27 shkurtit në Bruksel ishte i vetmi ku palët ishin pajtuar për përmbajtjen e propozimit evropian, kryeministri Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante, por pala tjetër kishte refuzuar, shkruan Kanal10.
Pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, Kurti e Vuçiq do të takoheshin edhe në Ohër, për t’u pajtuar sërish për aneksi e zbatimit të saj, i cili do të zgjonte kundërshtime nga opozita dhe njohës të proceseve.
Pika për vetmenaxhimin e komunitetit serb, ajo për statusin e kishave ortodokse serbe, si dhe preambula e marrëveshjes, ishin tri prej neneve kryesore që kundërshtoheshin nga opozita, derisa Kurti deklaronte se nuk përbëjnë autonomi e as një pushtet të tretë qeverisës në Kosovë.
Më pas, në nivel kryenegocatorësh, më 4 prill do të vazhdonin takimet në Bruksel për pikat e veçanta të zbatimit të marrëveshjes bazë, për çka një mekanizëm monitorues e kishte themeluar edhe Bashkimi Evropian, i cili paralajmëronte palët për sanksione në rast të moszbatimit.
Dy pikat kryesore ishin deklarata për të pagjeturit dhe çështja e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që të dyja të specifikuara si çështje urgjente.
Sa i përket Asociacionit, draft-statutin e ka përgatitur një ekip menaxhues i udhëhequr nga deputetja në Parlamentin e Serbisë, Danijela Vujiçiq, e afërt e presidentit Vuçiq.
Para takimit të 2 majit, Kurti deklaronte se do të ishte i lumtur të shoh një draft-statut të tillë, duke garantuar se nuk do të pranojë asgjë që del jashtë Kushtetutës së Republikës së Kosovës. /KANAL10