
Raporti: Viola Korça / Kanal10
Pa marrëveshje ka përfunduar takimi i radhës mes kryeministri Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, të martën në Bruksel. Pas takimit, palët drejtuan gishtin kah njëri-tjetri për dështimin që të ecët përpara drejt marrëveshjes përfundimtare. Megjithatë, në këtë takim u miratua deklarata për të pagjeturit.
Edhe një takim tjetër mes Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiqit, ka përfunduar pa pajtim për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Takimi disa orësh i së martës në Bruksel, ka nxjerrë në pah dallimet e mëdha që ekzistojnë mes palëve rreth formimit të këtij mekanizmi.
I vetmi pajtim mes palëve ishte miratimi i deklaratës për të pagjeturit, në të cilën thuhet se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë, dhe se çështjet e personave të Zhdukur do të njihen si çështje humanitare.
Në këtë takim është bërë edhe prezantimi i draft-statutit të Asociacionit nga Grupi Menaxhues i kryesuar nga Danijela Vujiçiq.
Pas takimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë është bërë hap i rëndësishëm për themelimin e Asociacionit, porse palët kanë këndvështrime të ndryshme për statutin.
Madje, ai shfaqi një shqetësim rreth situatës në veri.
Kryeministri Albin Kurti, draft-statutin e propozuar nga ekipi menaxhues, e ka quajtur të papranueshëm, e të papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.
Derisa, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, e ka akuzuar palën kosovare për mospranimin e draft-statutit të Asociacionit.
Në këtë takim, si kundërpërgjigje ndaj draft-statutit të propozuar nga ekipi menaxhues, kryeministri Albin Kurti, ka paraqitur para palës serbe dhe ndërmjetësuesve draft-vizionin e tij për rregullimin e pakicës serbe në Kosovë.
Ai është inspiruar nga marrëveshja që ka Serbia me Kroacinë për mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në shtetin kroat. /Gazeta10