Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

BE-ja kërkoi djegien e mandatëve të kryetarëve në veri

Gazeta10
04 May 2023 - 18:51

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10

Kërkesën e Bashkimit Evropian për djegien e mandateve të kryetarëve të katër komunave veriore e kanë kritikuar kryetarët e sapozgjedhur. Ata kanë thënë se nuk do të merren me deklaratat e emisarëve, të cilët sipas tyre, po shkelin të drejtat e njeriut. Të  njëjtit janë shprehur se do të punojnë në bazë të ligjeve të Kosovës. Ndërkaq, njohësit e politikës thonë se kjo kërkesë nuk duhet të pranohet para se kryetarët t’i kryejnë disa obligime.

Pak ditë pas zgjedhjeve në katër komunat e veriut, Bashkimi Evropian ka kërkuar djegien e mandateve të kryetarëve të rinj.

Për një kërkesë të tillë të BE-së kanë njoftuar edhe pala kosovare edhe ajo serbe dhe se sipas tyre, një çështje e tillë ishte diskutuar në takimin e 2 majit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, një kërkesë të tillë të BE-së, nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kanë thënë se nuk do ta marrin parasysh.

“Ne si kuvend komunal, do të bazohemi dhe ligjërisht do t’i kryejmë punës sipas Ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nuk do të merremi me deklaratat e dy emisarëve, sepse BE-ja vetë po i shkel parimet e të Drejtave të Njeriut, përmes këtyre dy negociatorëve. Deklaratat e zotëri Lajaçak për lëvizjen e lirë dhe funksionalizimit të Urës së Ibrit, janë shkelje të parimeve dhe standardeve të bashkësisë Evropiane dhe nuk janë konstruktive e as demokratike.” – Nexhat Ugljanin- Kryesues i Kuvendit Komunal, Mitrovicë e Veriut

Ndërsa, kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është në pritje të dhënies së betimit për të nisur punën.

Sipas Zeqirit, nuk është synimi kryesor marrja e zyrës që ndodhet në qendër të Zubin Potokut dhe funksionimi i punës së kryetarit nga kjo zyrë, mirëpo nëse duhet domosdoshmërish, atëherë ka thënë se do ta bëjë një gjë të tillë.

E njohësi dhe profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu ka thënë se kërkesën për djegien e mandateve, Qeveria e Kosovës nuk duhet ta pranojë.

Për një gjë të tillë ka folur edhe presidenti Vuçiq, duke thënë se kryeministri Kurti mendon të qeverisë me 3.4 përqind, dhe gjoja në dëm të serbëve.

Ai përsëri ka akuzuar ndërkombëtarët, për të cilët ka thënë se po e mbështesin kryeministrin e Kosovës në përpjekje për të thyer rezistencën serbe.

Më 23 prill, janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq kanë dalë fitues kandidatët nga VV-ja, derisa në Zveçan dhe Zubin Potok nga PDK-ja. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.