
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Ekspertet e ekonomisë po e shohin si të rrezikshëm dhe të kohës së komunizmit, krijimin e Fondit Sovran. Ata thonë se mbulimi i një kompanie e cila operon me humbje nga një kompani profitabile, përmes këtij fondi, nuk sjellë investime e punësime të reja.
Themelimin e Fondit Sovran, i cili do t’i menaxhojë profitin e ndërmarrjeve publike të Kosovës, ekspertët e ekonomisë po e shohin si të rrezikshëm për vendin.
Në këtë pasuri, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Fondit Sovran pritet t’i barten ndërmarrjet publike, si KEK-u, Trepça, Posta, Trainkos dhe Infrakos.
Ish-ministri i Financave dhe eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, e krahason këtë me kohën e komunizmit.
Sipas tij, nuk mund të merren paratë e një kompanie profitabile për t’i mbuluar humbjet e një kompanie tjetër.
Edhe eksperti tjetër i ekonomisë Safet Gërxhaliu thotë se praktika e fondit Sovran funksionon vetëm në shtetet me ekonomi me të lartë, për çka ai ka thënë se nuk mund të krahasohet Kosova me Norvegjinë dhe Kuvajtin.
Gërxhaliu thotë se Kurti po tenton që ta menaxhoi TRUSTI-n.
Të dielën, është mbajtur konferenca gjithëditore, në të cilën është paraqitur përmbajtja e projektligjit i cili do ta rregullojë këtë çështje.
Në këtë konferencë, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kjo do ta forcojë ekonominë e vendit.
“Qeveria jonë qëndron fuqishëm prapa këtij vizionit duke besuar që një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vinë.”, deklaroi Kurti.
Sipas projektligjit i cili deri më 2 prill ka qenë në konsultim publik, Fondi Sovran do të ketë një buxhet prej 20 milionë eurove. /Gazeta10