Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Javë vendimtare, ambasadori britanik: Koha që Kosova të propozojë draft-statutin për Asociacionin

Gazeta10
09 May 2023 - 15:23

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë tash është koha që Kosova ta propozojë formalisht draft-statutin për Asociacionin. Në anë tjetër, BE ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë bërë një hap të vogël në rrugën drejt themelimit të Asociacionit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Abbott ka thënë se ky draft-statut duhet të bëhet duke u mbështetur në vizionin e kryeministri, Albin Kurti, të cilin e ka paraqitur më 2 maj në takimin në Bruksel.

Abbott tutje thotë se krejt vizitat e zyrtarëve të huaj në Kosovë po bëhen për shkak se aleatët po dëshirojnë të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

 “Në këtë javë do të ketë shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, përfshirë drejtorin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Aleatët e Kosovës duan që të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Prandaj, tani është koha që Kosova të propozojë formalisht një draft-statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, duke e shfrytëzuar si themel vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në vijë me kriteret e përcaktuara nga BE-ja.” – ka shkruar Abbott.

Në takimi më 2 maj, Ekipi Menaxhues kishte prezantuar draf-statutin për Asociacionin.

Ky draft-statut ishte kundërshtuar nga Kurti duke thënë se propozim ishte kundërkushtetues.

 “Dëgjuam me vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft statut me gjithsej 67 nene. Një draft statut i tillë ishte fundamentalisht i papajtueshëm me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, por përkundër kësaj jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Unë propozova një draft vizion që tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane. Besoj se do të merret parasysh nga Borrell dhe Lajcak. Serbët do të kenë të drejta dhe bashkërisht do të kemi shoqëri që nuk lë askë prapa.” – kishte thënë ai, raporton Nacionale.

Për këtë, Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për Asociacionin. Vizioni i Kurtit për Asociacionin përbëhet nga 10 pika.

Propozimin titullohet “Vizioni i Kryeministrit, z. Albin Kurti, për zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ky vizion sipas Kurtit është frymëzuar nga modeli kroat dhe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me letrën e ish-ndërmjetëses Federica Mogherini dhe qëndrimet e SHBA-së.

Vizioni i Kurtit thotë se Asocacioni duhet “të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, përkatësisht Konventa Kornizë; Të ofrojë mundësinë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të promovojnë dhe mbrojnë interesat e tyre përmes një kornize të vetëmenaxhimit”.

“Do të sigurojë kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit me Qeverinë e Kosovës, ndër të tjera, përmes pjesëmarrjeve në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve; Do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia, të cilat të gjitha duhet të kalohen përmes procedurave dhe rregulloreve të Ministrisë së Financave të Kosovës; Do ta parashohë mundësinë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, duke përfshirë komunat, për qëllimet e mbështetjes së punës dhe misionit të tij për anëtarët e tij.” – thuhet ndër të tjera në vizionin e Kurtit.

Ndërkaq, emisiari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se draft-statuti i Ekipit Menaxhues nuk është final.

Ndërsa, për të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, draft-statuti i Ekipit Menaxhues dhe vizioni i Kurti ishin serioz.

“Mendoj se është serioz, por gjithashtu mendoj se ai i paraqitur nga ekipi menaxhues është serioz.” – kishte thënë Escobar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.