Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Shteti i izoluar feston Ditën e Evropës

Gazeta10
09 May 2023 - 18:50

Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10

Sikur edhe viteve tjera, edhe këtë vit e ka festuar 9 majin, Ditën e Evropës. Por, ky do të jetë viti i fundit që shënohet kjo ditë duke qenë të izoluar. Nga viti i ardhshëm, edhe qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë me ata të shteteve evropiane. Krerët e institucioneve kanë uruar këtë ditë, derisa, zyra e BE-së organizoi aktivitete për ta festuar Ditën e Evropës.

Ky vit është hera e fundit  që Kosova po feston ditën e Evropës, e izoluar nga vendet anëtare të saj.

Kjo meqë nga viti ardhshëm kosovarët do të jenë të barabartë me gjithë qytetarët e vendeve evropiane.

Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët kosovarë do të mund të lëvizin pa viza në tërë Evropën, sikurse çdo evropian tjetër.

Me këtë rast, krerët institucional kanë thënë se Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që i bashkon popujt evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se liria, demokracia, të drejtat e njeriut e sundimi i ligjit, kanë qenë shtylla të rëndësishme të BE-së që nga formësimi i tij, e janë pikërisht këto vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht.

Në këtë kohë përcaktuese, Dita e Evropës shërben si një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe mbrojtjes së njëri-tjetrit. Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të reflektuar mbi të gjitha sukseset që kemi arritur deri tani dhe për ta rikonfirmuar vullnetin tonë të pashembullt për suksese të reja në rrugën drejt integrimit evropian. Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë, dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre vlerave. – Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova është një shembull i shkëlqyer i demokracisë dhe vlerave universale të Bashkimit Evropian

Rruga e Kosovës është vetëm një, është ajo e Evropës, e frymës dhe parimeve të saj dhe çdo propozim tjetër është cënim i saj dhe i këtyre parimeve. Rruga e vendeve joanëtare për në BE është njëkohësisht edhe rruga e BE-së drejt idesë së lartë të Evropës së Bashkuar, rruga ku ajo duhet të përmbush vetveten duke takuar vlerat e saj – Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Kosovës

Edhe këtë vit, Dita e Evropës, në Kosovë janë organizuar aktivitete nga Zyra e BE-së, në Prishtinë.

Me ketë rast, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se është i lumtur se ka përfunduar çështja e liberalizmit të vizave,duke u mundësuar qytetarëve të vendit udhëtim në vendet e BE-së.

E shohim Kosovën, ashtu siç e shohim edhe gjithë rajonin, si shtete anëtare të ardhme të BE-së, pra duam që Kosova t’i përmbush të gjitha standardet evropiane sa më shpejt që është e mundur. Gjithsesi që duhet të përmend për këtë vit kam kënaqësinë që përfundimisht kemi përfunduar edhe çështjen e vizave dhe jam shumë i kënaqur që kosovarët do të arrijnë më në fund të udhëtojnë në vendet e schengenit, pa viza që prej 1 janarit. – Tomas Szunyog – Ambasador i BE-së në Kosovë

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli theksoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Nga 27 vendet anëtare të BE-së, vetëm Luksemburgu e ka ditë kombëtare dhe është ditë pushimi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.