Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Fondi Sovran mund të përfundojë në Kushtetuese

Gazeta10
09 May 2023 - 18:55

Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10

Ende pa u bërë funksional, qeverisë së Kosovës, i është bërë me dije se projektligji për Fondin Sovran, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Deputetët e partive opozitare, e kanë kundërshtuar këtë nismë, duke thënë se nuk do të lejojnë të krijohen mekanizma të tillë që formohen me ligje që shkelin Kushtetutën.

Fondi Sovran, do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë e kanë paralajmëruar partitë opozitare, sipas të cilave, projektligji i hartuar për themelimin e tij, është antikushtetues.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, thotë se për ta themeluar këtë fond, partia në pushtet ka anashkaluar të gjitha ligjet në fuqi.

“Për këtë Fond, bordin dhe organet e tij, që do të emërohen nga Qeveria/LVV-ja, s’ka me pasë Ligj të prokurimit – tenderët direkt me dosta/negocim i drejtpërdrejtë, s’ka nevojë për kontabilitet, raportim financiar, ligj të punës hiç se hiç, thjeshtë duhet me qenë i pëlqyeshëm për pushtetin dhe mjafton. E ja ku po them publikisht, që gjëra të tilla nuk do të lejohen. Nëse ky Projektligj bëhet Ligj kështu siç është do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese si shumë të tjerë, sepse ‘prima facia’ ky Ligj është antikushtetues.” – Hykmete Bajrami – Deputete e LDK-së

Kundër këtij Fondi janë edhe në partinë me të madhe opozitare, PDK.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, thonë se nëse i njëjti projektligj u shkon në Komisionin për Ekonomi, votat e tyre do të jenë kundër.

Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala, ka thënë se kryeministri Kurti e ka për qëllim kapjen e të gjitha institucioneve publike.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur Fondin Sovran, zhvillimor për ekonominë e vendit.

Projektligji për këtë fond ka qenë në diskutim publik deri me 2 prill, derisa, të dielën është mbajtur konferenca gjithëditore në të cilën janë paraqitur propozime të ndryshme.

Fondi Sovran do të ketë një buxhet prej 20 milionë eurove dhe brenda tij pritet të jenë ndërmarrjet kryesore publike, si, KEK-u, Trepça, Posta, Trainkos-i e tjera.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.