
Raporti: Blend Aliu
Në skenën gjigante të Eurovisionit, në Liverpool te Anglisë, sonte do performoj këngëtarja Albina Kelmendi së bashku me familjen e saj, prej nga edhe do t’a përfaqësojnë Shqipërinë.
Kënga “Duje” do të jehojë në hapsirën madhështore ku po mbahet ky kompeticion me karakter garues, me fillim nga ora 21:00.
Kjo këngë e cila përcjell motive tradicionale dhe pasqyron një mesazh të fortë, ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik.
Kompozitori Valton Beqiri në një intervistë për emisionin Pasdite në Kanal10, nuk është shprehur shumë optimist për kualifikimin e Shqipërisë në finale.
“Kënga ‘Duje’, si këngë, pavarësisht gjithë kësaj pune, nuk do të jetë shumë konkurruese në krahasim me ato çka kemi dëgjuar deri më tani” – është shprehur Beqiri
Tutje ai shton se duke njohur kapacitetet e këngëtarës, kënga me të cilën do të përfaqësohet nuk lejon që ajo të tregoj këto kapacitete.
“Sa i përket këngës, unë mendoj se kënga “Duje” nuk i jep hapsirë maksimale që Albina të prezantohet si këngëtare.
Unë kam bashkëpunuar me Albinën, e njoh prej më herët, ajo ka kapacitet të mjaftueshëm por kënga nuk i jep hapsirë të mjaftueshme” – shton kompozitori Beqiri.
Albina dhe Familja Kelmendi sonte do të përformojnë para mijëra të pranishmëve derisa synim i tyre mbetet kualifimi në finale dhe renditja e suksesshme në tabelën finale./Gazeta10