
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, të enjtën ka qëndruar edhe në Mitrovicë. Ai është takuar me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ku kanë diskutuar për mundësinë e hapjes e Urës së Ibrit, derisa zyrtari i BE-së, ka takuar edhe disa pjesëtarë të Listës Serbe, si dhe të shoqërisë civile nga komuniteti serb. Lajçak ka thënë se vendimi për hapjen e urës së Ibrit merret në dialog.
Pas Prishtinës, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka ecur në këmbë mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë.
Nga atje, emisari evropian ka thënë se vendimi për hapjen e urës për qarkullimin e veturave, duhet të merret në kuadër të dialogut.
Për mundësinë e hapjes së urës, Lajçak ka biseduar me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, gjatë një takimi që ka zhvilluar me të, duke thënë se nuk duhen vendime të njëanshme.
Ndërsa, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza ka thënë se duhet të respektohen ligjet dhe liria e lëvizjes.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, Lajçak është takuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb, si me krerët e Listës Serbe.
Nënkryetari i kësaj partie, Igor Simiq, ka thënë se Lajçakut ia kanë shprehur shqetësimet, me të cilat sipas tij, po ballafaqohen qytetarët serbë.
Vizita e emisarit evropian në Kosovë dhe në Serbi ka ardhur pak ditë pas takimit që liderët e të dyja shteteve kanë zhvilluar në Bruksel, me 2 maj.
Në këtë takim, ishte miratuar Deklarata për të Pagjeturit, derisa mospajtime kishte pasur për draft-statutin e hartuar nga ekipi menaxhues, i cili është shkarkuar vetëm një ditë më pas nga Qeveria e Kosovës.