
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar përfaqësuesit e BE-së, NATO-së, Japonisë dhe Zvicrës, të cilët janë njoftuar për takimin në Bruksel, raporton Gazeta10.
Në këtë takim ku ka qenë pjesëmarrës edhe zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, janë prezantuar pikat kryesore të propozuar nga Kosova për një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Lidhur me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke. Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Tutje, në këtë takim është biseduar edhe për procest që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi.
“Në këtë takim, që pason atë të djeshmin me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it, u bisedua edhe për proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhej më tej në njoftimin e tyre.
Kujtojmë se Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një fazë të përplasjeve dhe tensioneve të mëdha pasi Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të vendos masat e recipocitetit në targa dhe dokumente kalimi më 1 shtator.
Për këto tensione në Kosovë dhe Serbi kanë qëndruar dy përfaqësuesit e lartë perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak por nga takimet e tyre së paku nga ajo që dihet publikisht nuk ka pasur ndonjë marrëveshje. / Gazeta10