
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot masakrën e Korishës së Prizrenit dhe fshatrave përreth.
“Liria jonë në themel i ka heronjtë e kombit, martirët, gjithë ata që janë flijuar për liri ndër breza. Kujtojmë sot dhjetëra civilë të pafajshëm të vrarë në masakrën e Korishës së Prizrenit dhe fshatrave përreth, ku pushtuesit nuk kursyen as 14 fëmijë të kësaj anë”, shkroi ai.
Kreu i Aleancës kujtoi edhe heroizimin e familjes Meha në Prekaz, në 41-vjetorin e rënies së Tahir e Nebih Mehës.
“Gjithashtu, në 41-vjetorin e rënies, kujtojmë heroizmin e familjes Meha në Prekaz. Me nder e respekt, përulemi para trimërisë së Tahir e Nebih Mehës, që ranë në përballje të pabarabartë me qindra forca jugosllave. Emrat e tyre u përjetësuan në historinë tonë, ndërkaq vepra e tyre shërbeu ndër breza si frymëzim për ta realizuar endrrën shekullore për liri, e cila u bë realitet nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur ai./Gazeta10