
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka hedhur votën për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës dhe po ashtu për anëtarët e këshillit bashkiak.
Pas votimit, Rama ka thënë se tani është momenti i qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Ai ka uruar që problematikat e krijuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mos ketë ndikuar në dekurajimin e votuesve
“Tani është momenti i të gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar në KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan operaturat dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar momentin e parë të kthehen, në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të gjithë kandidatët dhe për këshillat e tyre bashkiak.”, ka thënë Rama.
Në Shqipëri mbahen sot (e diel) zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.
Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.
Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërkaq, PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.