
Herë në seancë të mbyllur, herë në private dhe e përcjellur me redaktime, është duke u dhënë dëshmia e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).
Pas përfundimit të intervistimit nga ana e Prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka nisur të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Avokati Albert Moskowitz e ka ballafaquar atë me një deklaratë të një personi(i koduar me numrin 3).
Derisa dëshmitari po fliste për një rast që bashkë me “numrin 3” e kishin parë një veturë në një anë të rrugës e cila sipas tij ishte e tipit Golf 3, mbrojtja e Thaçit e kujtoi një deklaratë të “numrit 3” dhënë për UNMIK-un, i cili kishte deklaruar se vetura ishte Fiat.
Avokati Moskowitz: Je në veturë me numrin 3, je rrugës dhe je nisur në drejtim të pozicionit D. Sa shpejt po vozitje në ato momente?
Dëshmitari: 100 kilometra në orë ma merr mendja nuk e kam kqyr kilometrazhen me një shpejtësi të madhe.
Avokati Moskowitz: Në një moment sheh një veturë të parkuar në anë të rrugës kështu?
Dëshmitari: Po
Avokati Moskowitz: Kur e pe këtë veturë po vozisje ende me shpejtësi të madhe?
Dëshmitari: Kur e kam pa veturën jam ndal, kur e kom pa veturën se shihet pak ma larg jam ndal me i bë pyetje nuk e kam ditë kush është në veturë në atë moment para se me e pa.
Dëshmitari ka thënë se nuk kujtohet se deri tek vetura tjetër a e shoqëroi “numri 3” apo jo.
Por sipas tij, ai ka folur me “numrin 4”, derisa u shpreh se “numrin 5” i cili sipas tij ndodhej në veturë nuk e kishte njohur atë kohë.
Avokati Moskowitz: Shkove vetëm apo shkove me numrin 3?
Dëshmitari: Vetë edhe i bëra pyetje numrit 4.
Avokati Moskowitz: Ishte vetëm kur iu afrove veturës
Dëshmitari: Nuk më kujtohet se a ka dal prej veturës tem numri 3, por unë personalisht kam fol me numrin 4. Dhe numrin 5 nuk e kam njoft si figurë dhe as nuk e kam njoft emrin deri vonë.
Avokati Moskowitz: A mund të na përshkruani veturën që ishte parkuar në anën e rrugës?
Dëshmitari: Ka qenë Golf 3, ngjyrë e kaltër e mshelt më shumë si në të zezë diçka.
Avokati Moskowitz: Kur e dallove për herë të parë se një nga personat në veturë ishte “katërta”?
Dëshmitari: E pash që është ai, ata e njifsha më herët.
Avokati Moskowitz: E kishe parë më përpara apo thjesht kishte dëgjuar për të?
Dëshmitar: Është në vend tem ka dajtë
Pas këtij diskutimi, avokati Albert Moskowitz ka thënë se “numri 3” i kishte thënë UNMIK-ut se vetura që e kishin parë nuk ishte e parkuar në rrugën që ishin duke lëvizur, dhe se e njëjta ishte e tipit Fiat.
“Numri 3 u tha autoriteteve të UNMIK në një deklaratë të nënshkruar …..Thotë që vetura që ti pe në rrugë në anë të rrugës nuk ishte e parkuar, ishte duke ecur ishte në lëvizje, se ajo veturë ishte Fiat dhe jo Golf dhe se numri 3 erdhi me ty tek vetura që kishte mundësi të shikonte numrin 4 dhe se ai e përshkruan numrin 4 ishte i veshur jo me të zeza po me tesha kamuflazh”, ka thënë ai.
E pas kësaj pyetje nga mbrojtja e Thaçit seanca ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar dhe më pas e mbyllur për publikun.
Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.
Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm. /kp/Gazeta10