
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Raportimi i Kanal 10 i ka siguruar një vend pune kryefamiljarit të një familje nga Peja që jetonte prej një muajsh në mbikalimin e Prishtinës. Historia e treguar në emisionin ‘Mëngjesi me Arben Ahmetin’ – ka nxitur partnerët e televizionit RELUX ti ofrojnë një vend pune. Kurse Komuna e Prishtinës është përkujdesur t’i ofrojë strehim të përkohshëm familjes shtatë anëtarëshe.
Zeqir Sokolrexha që jetonte mjerueshëm prej një muajsh në një mbikalim në kryeqytet me familjen e tij, tash ka shpresë se mund t’i ofrohet një zgjidhje.
Mëngjesin e së martës, ekipi i gazetarëve të emisionit “Mëngjesi me Arben Ahmetin” të Kanal 10 raportoi për këtë familje në nevojë.
Historia e dhimbshme e kryefamiljarit për jetën e vështirë ka nxitur partnerët e televizionit, kompania RELUX, ti dalin në ndihmë duke i ofruar një vend pune.
Pas kësaj, Kanal 10 ka intervistuar pronarin e Relux, Ramiz Gashi, i cili përpos që ofroi një vend pune, shprehu gatishmërinë për t’ia mbuluar qiranë.
Raportimi i Kanal 10 ka nxitur edhe reagimin e Komunës së Prishtinës e cila i ka siguruar një strehim të përkohshëm.
Qytetarët vullnetmirë të prekur nga kjo histori, kanë shprehur interes për ti ndihmuar kësaj familje.
Njëri nga ta është humanisti Halil Kastrati i cili është zotura për ti ndërtuar një shtëpi familjes Sokorexha nga Peja.