Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Kampioni tashmë dihet, luhet gjithçka për top 4-she dhe mbetje në elitë

Gazeta10
26 Maj 2023 - 11:29

Fundjava e fundit e majit na sjell para xhiron e 37-të në LaLiga, pjesë e së cilës janë disa ndeshje interesante, me luftë që po zhvillohet në dy fronte.

Kampioni i elitës së futbollit spanjoll për këtë sezon është shpallur Barcelona, e cila këtë javë luan ndaj Mallorcas së Vedat Muriqit.

Të besuarit e Xavit kanë pësuar dy humbje radhazi, andaj kërkojnë që në ndeshjen e fundit para publikut të vet të shënojnë fitore. Mallorca që tashmë e ka siguruar mbijetesën disa javë më parë, e gjen veten në mesin e tabelës në përfundim të kampionatit.

Në anën tjetër, Real Madridi këtë javë udhëton për në “Ramon Sanchez Pizjuan” për t’u përballur me Sevillan, e cila këtë sezon nuk e kaloi më së miri në LaLiga.

“Los Blancos” po synojnë të mbyllin sezonin në vendin e dytë, para rivalit lokal, Atletico Madridit.

Meqë ra fjala te Aletico, ata këtë xhiro luajnë ndaj Real Sociedadit, me ndeshjen e cila luhet në “Civitas Metropolitano”.

Imanol Aguacil, së bashku me skuadrën e tij janë rrugës së mirë që të sigurojnë top katërshen këtë sezon dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, gjersa të besuarit e Diego Simeone qëllim kanë pozitën e dytë në tabelë.

Kur jemi te mbijetesa, pesë skuadra po luftojnë për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll.

Espanyoli, që gjendet në pozitën e parafundit në tabelë, këtë javë luan ndaj Valencias, kundërshtarit direkt për mbijetesë.

Në anën tjetër, Real Valladollidi, i cili po ashtu rrezikohet që të bie në LaLiga 2, në këtë xhiro sfidohet nga Almeria.

Cadizi në shtëpinë e vet pret skuadrën e Celtas, e cila ndonëse pozicionohet e 14-ta në tabelë, po ashtu rrezikohet që të bie në një rang më poshtë.

Kjo xhiro e gjen Getafen në përballje me Osasunan në “Coloseum Alfonso Perez”. Të parët e gjejnë vetën në pozitën e 16-të me 38 pikë, gjersa finalisti i Kupës së

Mbretit, Osasuna pozicionohet e 10-ta në tabelë, duke siguruar edhe një sezon në La Liga.

Të gjitha këto ndeshje luhen të dielën duke filluar nga ora 19:00.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.