Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Vjen goditja e parë për Kosovën, ndërpriten stërvitjet e FSK-së në “Defender Europe ‘23”

Gazeta10
30 May 2023 - 16:30

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten.

Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, kanë hyrë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Komunat, Zubin Potok, Leposaviq, dhe Zveçan, janë të banuara me shumicë serbe, dhe banorët lokalë atje kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër ndërtesa, të cilat funksionojnë sipas sistemit serb.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës, dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Hovenier e ka cituar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kur ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë, janë duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Tashmë pasoja e parë kishte ardhur, dhe ambasadori ishte mjaft i drejtpërdrejtë në përshkrimin e saj.

“Indikacioni i parë i kësaj gjëje ishte vendimi që mori Gjenerali i NATO-s për Europë Juglindore për të anuluar pjesëmarrjen e Koforës në Defender 2023, që ndodhi gjatë natës. Dhe siç e dimë, nuk kishte aktivitete sot dhe s’do të ketë. Për Kosovën ai ushtrim u krye. Po mendojmë edhe për të tjera pasoja, po ashtu. Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona”.

Ambasadori amerikan ka thënë se stërvitje në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, nuk do të ketë për Kosovën.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.