
Raporti: Kanal10
Ndërkohë, analistët në Kosovë presin që vizita e Gabirel Escobarit dhe Mirosllav Lajçakut të hënën në Kosovë, të jetë në shërbim të uljes së tensioneve në veri dhe gjetjes së një zgjidhjeje për krizën e javëve të fundit në katër komunat e asaj pjese.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe emisari i ShBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, të hënën do të jenë mysafir të liderëve institucional të Kosovës.
Të dy përfaqësuesit e lartë të BE-së e ShBA-së, në agjendën e tyre do ta kenë një synim, gjetjen e një zgjidhjeje për uljen e tensioneve në veri të vendit.
Analistët politikë, vizitën e dy emisarëve po e konsiderojnë efektive për normalizimin krizës në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Ata po ashtu po vlerësojnë se edhe propozimi evropian për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore në Kosovë, do të kontribuojnë në qetësimin e situatës.
Analisti, Dritëro Arifi, ka thënë se presioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka ndikuar në ç’tensionimin e situatës në veri të vendit.
Arifi tha se ardhja e Escobar dhe Lajçak, do ta drejtojë çështjen në atë që do të mbahen zgjedhjet e reja.
Ndërsa, sa i përket dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Arifi ka thënë se mënyra se si BE po e udhëheq dialogun, po i tregon Serbisë dhe Rusisë, që çështja e Kosovës është papërfunduar politikisht.
Fokusi i vizitës së Lajçakut dhe Escobarit do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.
Në këtë shtet, më 1 qershor, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, gjatë takimit të tyre me presidentët e të dy vendeve, Vjosa Osmanin dhe Aleksandar Vuçiqin. /Gazeta10