
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Gjykimi në mungesë nuk pritet të sjell drejtësi për viktimat. Kështu po vlerësojnë njohës të sistemit të drejtësisë, të cilët kanë shprehur kritika rreth aktakuzave të ngritura për gjykimin në mungesë ndaj kryesve të krimeve gjatë luftës në Kosovë. Sipas tyre, kjo po shfrytëzohet për shkaqe politike dhe si e tillë do t’i zhgënjejë familjarët e viktimave.
Njohës të sistemit të drejtësisë, e përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut, kanë pak pritshmëri rreth efektivitetit që do të ketë gjykimi në mungesë.
Sipas tyre, ngritja e aktakuzave për gjykimin në mungesë për ndëshkimin e kryesve të krimeve gjatë luftës në Kosovë, nuk pritet të prodhojë asnjë efekt juridik për të akuzuarit, por as drejtësi për viktimat.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se mos vuajtja e dënimit nga të akuzuarit, do të sjellë zhgënjim për viktimat apo të afërmit e tyre.
E, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, mendojnë se gjykimi në mungesë, po shfrytëzohet më shumë për shkaqe politike, sesa për të prodhuar ndonjë efekt juridik.
Por, Gëzim Shala nga IKD, vlerëson se gjykimi në mungesë, ka edhe aspekte pozitive në trajtimin e krimeve të luftës.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dy aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R., të dyshuar për krime lufte në Kosovë, gjatë vitit 1999.
E përveç këtyre dy aktakuzave, nga departamentit për krime të luftës kanë bërë të ditur se së shpejti do të ngritën edhe aktakuza të reja për gjykim në mungesë. /Gazeta10