Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Trzirat në veri, opozita kritikon ekzekutivin

Gazeta10
05 June 2023 - 19:21

Raporti: Arta Mustafa / Kanal10

Partitë opozitare kanë vazhduar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës për veprimet e pakoordinuara në veri të vendit. Ata kanë thënë se Kurti ka rënë në grackën e Serbisë. Ndërkohë, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, opozita ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri, si dhe për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime të pamatura dhe eksperimentuese në veri të vendit, duke krijuar kaos në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Për këtë, partitë opozitare e kanë fajësuar ekzekutivin e vendit, që sipas tyre, e ka reduktuar sovranitetin vetëm në katër objektet komunale.

Madje, sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, me këto veprime të qeverisë, rrezikohet që veriu të kthehet në protektorat ndërkombëtar.

Ndërkaq, shefat e grupeve parlamentar kanë thënë se ekzekutivi duhet t’i bashkërendojë veprimet me bashkësinë ndërkombëtare, qoftë edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut.

Por, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, zgjedhjet në këtë pjesë mund të mbahen vetëm duke respektuar ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Ndryshe, nga PDK-ja nuk kanë treguar nëse dy kryetarët e komunave të veriut nga radhët e kësaj partie do të japin dorëheqje, për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Derisa, nga AAK-ja kanë thënë se do t’i vazhdojnë konsultat me partitë opozitare lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Tejkalimi i situatës në veri të vendit ka qenë kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar, duke intensifikuar vizitat dhe komunikimit me krerët e shtetit të Kosovës. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.