
Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” të premten në Dubrovnik.
Kurti theksoi se Kosova “duhet të merret me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në “botën serbe” dhe ta shohin atë si botën ruse… këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviçin apo Putinin”.
Kryeministri i Kosovës tha se Kosovës “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje” dhe shtoi se ndërkohë Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i japin fund trazirave të tyre.
Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialog intensiv për zbatimin e marrëveshjes dhe ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, tha Kurti.
Kurti po merr pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” e organizuar nga deputeti kroat Tonino Picula në Dubrovnik.
Kryeministri i Kosovës tha në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai i është bashkuar dialogut me Serbinë sepse “ai është i organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson atë bisedë.
Nëse Kosova dëshiron t’i afrohet BE-së dhe NATO-s, do të duhet t’u japë më shumë autonomi komunave me shumicë serbe, tha të martën i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar./Gazeta10