Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Veterani i luftës: S’po mund t’ia paguaj gruas një analizë (VIDEO)

Gazeta10
10 June 2023 - 23:30

Raporti: Saranda Aliu
Familja Terakaj nga Vitaku i Skenderajt thotë nuk po ka mundësi që të paguajë analizën e biopsisë për nënën e tyre, e cila dyshohet se vuan nga një sëmundje e rëndë. Klinikat private thonë se u kërkuan mbi njëmijë euro, derisa në të shtetit janë duke pritur tash e 7 muaj. Nga pritja, pacientes i ka humbur zëri. Nga Instituti i Patologjisë i kanë mohuar këto qëndrime, por nuk kanë pranuar të japin detaje. E nga SHSKUK-ja nuk kanë kthyer përgjigje.

Këto nuk janë fatura të thjeshta të shpenzimeve.

Por, janë receta të mjekëve të klinikave private, e të shtetit, që ia kanë dhënë Xhylë Terakajt nga Vitaku i Skenderajt, e cila dyshohet të ketë sëmundje të rëndë në fyt.

Asaj i ka humbur edhe zëri, derisa ende nuk e din se çfarë diagnoze ka.

Megjithatë, çdo ditë e më shumë sëmundja thotë se po e rëndon.

Ajo thotë se mjekët i kishin kërkuar ta bëjë biopsinë.

Por, për një analizë të tillë e cila në klinikat private kushton mbi njëmijë euro, bashkëshorti i saj thotë se nuk mund ta përballojë.

E në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas veteranit të luftës, i thanë se duhet të pres 7 muaj për këtë analizë.

Televizioni ka kontaktuar me drejtoreshën e Institutit të Patologjisë, Merita Hashani, por ajo ka mohuar se për të bërë biopsinë duhet pritur 7 muaj. Megjithatë, nuk ka pranuar të jap më shumë detaje.

Për të marrë më shumë detaje lidhur me numrin e pacientëve që presin për termin, Kanal10 ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga SHSKUK-ja.

“Janë bërë disa ditë që në kemi kërkuar përgjigje nga Zyra e Informimit të SHSKUK-së lidhur me temën në fjalë. Të njëjtit nuk e kanë hapur telefonin, shpesh herë nuk i kanë kthyer mesazhet. Ne kemi dërguar edhe email se kështu na është kërkuar nga drejtorët e klinikave, por deri më tani SHSKUK-ja s’ka përgjigje.”

E nga Shoqata e Pacientëve kanë thënë se asnjëherë nuk kanë pranuar ankesa nga pacientët për vonesën e analizave, por që nuk e përjashtojnë mundësinë që kjo të ndodhë.

Pacientët vazhdojnë të përballen me lista të pritjeve për termine./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.