
Raporti: Kanal10
Shtrenjtimi i faturave për tatimin në pronë, pas rivlerësimit të pronave nga ana e Ministrisë së Financave, ka bërë që numri më i madh i qytetarëve të mos paguajnë atë. Pavarësisht se kësti i parë është dashur të paguhej deri më 31 prill, ata nuk kanë shprehur interesim për ta paguar edhe pse pasojnë gjoba. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se pavarësisht pritjeve të qytetarëve nga niveli qendror për faljen e 100 eurove, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Arsyetim të njëjtë kanë dhënë edhe kryetari i Komuës së Prizrenit dhe Pejës.
Edhe pse afati për pagesën e këstit të parë për tatimin në pronë ka kaluar, qytetarët nuk kanë pasur interesim ta paguajnë atë, ani pse ata automatikisht hyjnë në sistem për gjoba dhe kamata.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se qytetarët kanë pritur ndryshimet e premtuara nga niveli qendror rreth faljes së mundshme të 100 eurove.
Ai është shprehur se në bazë të informatave që posedojnë nga kryetarët e komunave, qytetarët nuk kanë zgjuar interesim ta bëjnë pagesën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023.
Se ka rënë interesimi i qytetarëve ta paguajnë tatimin në pronë për këtë vit, duke pritur faljen nga 100 euro e ka thënë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se ka konfuzione mes qytetarëve nëse ka falje të 100 eurove ose jo.
Projektligji për tatimin në pronën paluajtshme është në Kuvendin e Kosovës. Ai ka kaluar në lexim të parë në Komisionin për Buxhet.
Shtrenjtimi i tatimit në pronë është kundërshtuar nga qytetarët, opozita dhe bizneset. /Gazeta10