
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Zhdukurit duke bërë homazhe pranë obeliskut për personat e pagjetur ku edhe kanë theksuar nevojën që ndërkombëtarët të bëjnë trysni mbi Beogradin, raporton Gazeta10.
“Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve dhe njëkohësisht që më faktorët ndërkombëtarë të bëjmë trysni që në Beograd të hapen arkivat dhe asisoj të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë. Përveç që duhet të hapën arkivat, në të njëjtën kohë edhe prokurorial tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre të cilët i vranë, i varrosen, i zhvarrosen, i dërguan në Serbi, i varrosen atje, dhe më pas u zhvarrosën nga ato pesë varreza masive që mbase ka më shumë se aq”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se në mesin e 1617 të zhdukurve me dhunë ka edhe jo shqiptarë duke shtuar se institucionet angazhohen për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve pa dallim etnie.
“Në mesin e 1617 të zhdukurve me dhunë ka edhe që nuk janë shqiptarë, shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe që nuk janë shqiptarë dhe ne angazhohemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie. I ftoj qytetarët të cilët dinë, kanë informacion, që atë ta bëjnë publik, përveç hapja e arkivave në Beograd edhe qytetarët në Serbi duhet të ndihmojnë dhe të flasin çka dinë, por jo vetëm në Serbi, është e nevojshme që të gjithë qytetarët të flasin për informacionet që mund t’i kenë. Ne e dënojmë për çdo ditë me veprimtarinë tonë institucionale, me qëndrimet e tona shtetërore, gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Me disa aktivitete, edhe në Kosovë po shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve derisa mungojnë edhe mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë nga në luftën e fundit në Kosovë./Gazeta10
