
Për situatën në veri pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga policia serbe, ka reaguar edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë duke shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, raporton Gazeta10.
Sipas tyre veprimet e marra nga qeveria serbe në rrëmbimin e anëtarëve të Policisë së Kosovës paraqesin një eskalim të qëllimshëm, të paraparë dhe agresiv të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
“QKSS dënon vendoshmërisht këto akte në dëm ndaj paqes dhe stabilitetit. Në këto rrethana, është thelbësore që të punojmë së bashku për të ndërgjegjësuar dhe informuar publikun për këtë situatë”, thuhet tutje në komunikatën e dërguar nga ky institut.
QKSS i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht NATO/KFOR dhe BE-së, siç kanë thënë ata për të shpejtuar kthimin e pjesëtarëve të Policisë në Kosovë. Gjithashtu, masa konkrete për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës duhet të zbatohen, pasi potenciali për konflikt vazhdon të rritet çdo ditë.
“Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës nxjerrin në pah paqëndrueshmërinë e status quo-së dhe theksojnë nevojën urgjente për një zgjidhje të zbatueshme. Rruga e vetme përpara është zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën liderët e të dy vendeve kanë rënë dakord në shkurt të këtij viti. BE-ja duhet që sa më parë dhe pa vonesë të dorëzojë një plan të qartë të veprimit për zbatimin e marrëveshjes”, përfundon deklarata e QKSS-së. /Gazeta10/