
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukurve me Forcë ku zyrtarët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë përmes aktiviteteve të ndryshme e kanë shënuar këtë ditë, raporton Gazeta10.
Në Kosovë janë 1652 persona të zhdukur nga lufta e fundit me 1999. Kjo temë nuk ka pasur progres në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Sot udhëheqësit e Kosovës dhe përfaqësuesit e huaj në Kosovë kanë premtuar se do të angazhohen për ta dërguar përpara këtë çështje.
Por kujtimi i familjarëve vazhdon të jetë i freskët, i fuqishëm dhe i paharrueshëm. Për vite të tëra, ata i kanë kujtuar në mënyra të veçanta e shumë emocionale.
Kanë protestuar çdo herë e trokitur kudo për ndihmë në gjetjen e më të dashurve të tyre.
Fotografitë e dy të moshuarve që mbajnë posterat e familjarëve të zhdukur janë tronditëse, në njërën nga protestat e shumta në Prishtinë.
“Gjithmonë natën mendoj mos po çelet dera e po vjen”, shkruan në njërën foto.
“Prej oborrit vështirë me dal, ka mbet thatë..padrejtësia po më brenë” – shkruan tjetra. / Gazeta10

