Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Edi Rama letër Macronit e Scholzit, për shtensionimin e veriut

Gazeta10
23 June 2023 - 20:00

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë, deri në lirimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë arrestuar nga autoritetet serbe. Sipas tij pa lirimin e tyre nuk mund të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe as deeskalim të situatën në pjesën veriore të Kosovës, e cila siç tha po degradon çdo ditë. Rama poashtu ka bërë të ditur se i është drejtuar me një letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel lidhur me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Situata e krijuar në pjesën veriore të Kosovës e riktheu edhe një herë angazhimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Ai kësaj radhe bëri të ditur se i është drejtuar me një letër presidentit francez, Emanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si dhe Këshillit Evropian, përmes të cilës e ka shprehur domosdoshmërinë për një shtysë të re nga këto vende për zbatimin e planit franko-gjerman.

Sipas Ramës, pa lirimin e tre policëve kosovarë nuk do të ketë asnjë marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Shefi i qeverisë shqiptare, deklaroi se pa lirimin e tre policëve, është e kot të diskutohet për çështje tjera me Serbinë, dhe se kjo pikë sipas tij, i përbashkon me kryeministrin Albin Kurti.

Rama deklaroi se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, duhet të mbyllen në një konferencë normalizimi, pa të drejtë daljeje, deri sa të trajtohen të gjitha pikat.

Kryeministri Rama në fillim të muajit qershor, u kishte dërguar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Macronit dhe Scholzit.

Sa i përket këtij propozimi, Rama tha se nuk ka pritur që të miratohet as nga Kosova e as nga Serbia, por e ka cilësuar si kontribut.

Të enjten në Bruksel Kurti ka zhvilluar takim bilaterial me Borrellin dhe Lajçakun.

Pas këtij takimi, kryeministri Kurti është shprehur se Kosova është e hapur për zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, por që ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.