
Gjilani ka gjetur trajnerin e ri, pas largimit të Zekirija Ramadanit.
Strategu shkupjan u largua nga skuadra kosovare, pasi kaloi në Arabinë Saudite.
Gjilani ka kompletuar marrëveshjen me trajnerin e mirënjohur Klodian Duro.
Trajneri shqiptar tashmë është i njohur në skenën e futbollit tonë, pasi më parë ka qenë në krye të ekipit të Feronikelit.
Duro në të kaluarën ka drejtuar edhe ekipe si Kukësi, Kamza, Luftëtari dhe Lushnja, ndërsa është i lirë që nga 17 tetori i vitit të kaluar.
45-vjeçari debutimin e tij në krye të “Skifterave” pritet ta bëjë në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku në raundin e parë do të ndeshen me skuadrën nga Luksemburgu, Progres Niederkorn.
Gjilani në edicionin e kaluar u rendit në pozitën e tretë në tabelë në Superligën e Kosovës, teksa arriti deri në finale të Kupës së Kosovës, aty ku u mposht nga Prishtina.