Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Borell paralajmëron masa të reja nëse nuk shtensionohet situata në veri

Gazeta10
26 June 2023 - 18:36

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se mirëpresin lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia, ndërkohë që ka theksuar se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk shihet progres në shtensionim të situatës.

Nëse progresi për qetësim të situatës në veri nuk shihet, masat ndëshkuese për Kosovën e Serbinë janë të gatshme.

Kështu është shprehur përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pas mbledhjes me ministrat e jashtëm.

Borrell tha se takimi i fundit në Bruksel me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, nuk pati rezultat të menjëhershëm për tejkalimin e krizës.

“Shtetet anëtare kanë nënvizuar shqetësimin për tensionet në vazhdim në veri të Kosovës dhe kam cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën, e të bëhet në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të bërë më 3 qershor. Mirëpresim lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet, për ta rritur levën e BE-së e për ta përkrahur dialogun për normalizim”, u shpreh Borell.

Shefi i diplomacisë evropiane, tregoi se bëhet fjalë për masa politike e financiare nga shtetet anëtare.

“Mund të konsiderojmë masat politikë për të limituar kontaktet politike, e masat financiare po ashtu. Duhet të jenë masa, u thash shteteve anëtare, që masat duhet të jenë proporcionale dhe të kthyeshme”, theksoi Borell.

Sipas tij, hapi i parë që duhet të ndërmerret është mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore.

“Jemi pajtuar se nuk mund të kemi kryetarë në zyre të mbrojtur përgjithmonë nga forcat e NATO-s, kryetar me tre për qind të votave. Nuk është një zgjedhje e qëndrueshme. Duhet të zëvendësohen ata nëpërmjet zgjedhjeve, zgjedhje të reja. Për këtë janë pajtuar dyja palët, por duhet pjesëmarrja e serbëve, përndryshe do të kemi situatë të njëjtë”, tha Borell.

Fajtori ndërkombëtar vazhdon të kërkojë ulje të tensioneve në veri të Kosovës dhe kthimin e palëve në procesin e dialogut.

Në takimin e fundit në Bruksel, Borrel ka zhvilluar takime ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin, për çka shefi i diplomacisë evropiane kishte thënë se palët janë dakorduar për zgjedhje të reja në katër komunat e veriut.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.