
100% e qytetarëve që kanë votuar në sondazhin e hapur nga Kanal10, kanë thënë se e kanë ndjerë inflacionin ekonomik në vend, raporton Gazeta10.
Pothuajse njësoj përgjigjet kanë qenë edhe në sondazhin e hapur me të njëjtën pyetje në komunitetin e Viberit, ku 93% kanë votuar me ‘’po’’, ndërsa vetëm 7% kamë thënë se nuk e kanë ndjerë ndonjë ndikim.


Inflacioni nënkupton përqindjen me të cilën rriten çmimet e mallrave dhe shërbimeve për një periudhë të caktuar.
Që nga koha e pandemisë, e cila ndikoi në masë të madhe në ekonomi, vazhdimisht ka pasur kritika për mos reagim në këtë drejtim.
Madje, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë për mos dhënien e asnjë rezultati që mbron qytetarët nga inflacioni.
“Inflacioni, i cili arriti kulmin në 14.2 përqind në korrik 2022, erdhi si rezultat i rritjes të kostos së transportit, çmimit të energjisë dhe çmimit të ushqimeve. Situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara. Jo vetëm që nuk e suspendoi akcizën në naftë për një kohë, por Qeveria nuk e uli as TVSH-në Nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni”, shkroi ai në prill të këtij viti. /Gazeta10