
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, gjatë një konferencë për media, e ka quajtur ndërhyrje të pastër politike nga ana e Qeverisë shkarkimin e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve, Shemsi Hazirit.
Kjo njësi e hetimeve udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Ai tha se ekzekutivi ka për qëllim të parandaloj çfarëdo hetimi të zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe partiak të partisë në pushtet, shkruan Gazeta10.
“Shkarkimi i Drejtorit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve tregon se kjo Qeveri dëshiron të mbroj më çdo kusht njerëzit e saj që janë nën hetime për korrupsion, dhe këtë po e bënë duke ndërhyrë në mënyre të papranueshme në procesin e hetimit ndaj tyre. Ky shkarkim shpjegon arsyen dhe motivet e vërteta pse Kryeministri Kurti dhe kjo Qeveri sulmonte prokurorin e shtetit me aq brutalitet pak ditë pas arrestimit të Nagip Krasniqit”, ka thënë Gruda.
Gruda e ka cilësuar këtë rast si një dëshmi që partia në pushtet, premtimet për luftë kundër korrupsionit i përdori për hesape elektorale.
Kërkesa e tij ishte dorëheqja e Qeverisë nga përpjekjet për të fshehur ‘’aferën korruptive’’ të Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqit.
“Po ashtu, i bëjmë thirre Qeverisë së Kosovës që të heq dorë nga ndërhyrjet politike në organet që po zhvillojnë hetimet dhe t’i hap rrugë zbardhjes së kësaj afere. Me lejoni të jem i qartë për të gjithë nuk ka forcë që mund të mbylle dhe heshtë aferën korruptive të Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqi. Qytetarët e Kosovës do ta marrin vesh herët apo vonë të vërtetën e këtij skandali korruptiv.”, tha ai.
Gruda i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të angazhohet për të siguruar një hetim të pavarur dhe të paanshëm për këto dy raste.
Ambasadori Berishaj është nën hetime për aktivitetin e tij lidhur me energjinë elektrike që përfshin të paktën katër shtete të Ballkanit: Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë, ndërkohë që, ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi ndodhet në paraburgim nën akuzën për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.